Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar pas kritikave të shumta që mori, për shkak të deklaratës së saj ndaj BE-së, të cilën e quajti “tigër prej letre”.
Këtë deklaratë ministrja Gërvalla e bëri gjatë një fjalimi në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ku tha se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.
Në një reagim të bërë në Facebook, Gërvalla ka drejtuar kritika ndaj dy partive opozitare PDK e LDK.
“E sa për PDK-në, e cila tenton të na frikësojë që, nëse ajo vjen në pushtet, ne nuk paskemi më vend në Kosovë, mundem vetëm t’iu përkujtoj që nuk janë të parët që nuk dëshirojnë të më shohin as fizikisht në vendin tim. E për LDK-në, nuk po flas sonte. Po flasin kaq shumë vet, po vajtojnë, shajnë, mallkojnë e gënjejnë, saqë çdo fjalë e imja do të ishte e tepërt”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo më tej ka shtuar se është zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, dhe se nuk është zëdhënëse e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër.