Pas publikimit të një audiopërgjimi të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ku komunikon me zyrtarin e lartë të listës Serbe Slavko Simiç si dhe flitet për kontaktet e Kusari Lilës me Milan Radojçiç, një kriminel i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pasur edhe reagime të ashpra të Opozitës.
Ish kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti ka shkruar në profilin e tij në FaceBook se mashtrimit i erdhi fundi dhe u tregua se me kë po bashkëpunon qeveria e Kosovës.
Ndërsa Shefi i grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se gjëja më e pakët që qeveria e Albin Kurti duhet të bëjë është që të dorëhiqet.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi shkroi në Facebook duke ironizuar Albin Kurtin se nëse bashkëpunimi me Milan Radojçiç ishte me koordinim apo jo, ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë që të nisë menjëherë hetimet.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dorsa Kica Xhelili ka ironizuar Albin Kurtin duke thënë se pyetja nuk është me koordinim apo pa kordinim por se me kë kordinohesh.