Ditën e sotme policia e Sarandës ka arrestuar Kanixho Kalemi dhe Sefedin Beqiri pasi janë kapur me armë zjarri, kokainë dhe municion luftarak.
Prej 3 muajsh hetime policia bëri të mundur ditën e sotme arrestimin e 30-vjeçarit dhe 19-vjeçarit.
Kalemi u arrestua në banesën e tij ku u gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në 41 doza.
Në banesë ndodhej edhe i ish-kunati i tij, Beqiri ku gjatë kontrollit në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 41 dozat e kokainës, arma e zjarrit, municioni luftarak dhe 5 aparate celulare.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.