Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar vendimin për ndryshimin e formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke nisur që nga ky sezon 2023-2024.
Sipas skemës së re, kampionati “Abissnet Superiore 2023-2024” do të ketë katër faza dhe në përfundim të javës së 36-të ekipet e renditura në 4 vendet e para do të përballen në një fazë play-off.
Kjo fazë do të quhet “Final 4” dhe ekipi fitues do të shpallet skuadra që grumbullon më shumë pikë në këto tre ndeshje. Të katër ekipet e nisin “Final 4” me 0 pikё, ndërsa ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës sipas skemës së mëposhtme:
Java 37 Java 38 Java 39
1-4 3-1 1-2
2-3 4-2 3-4
Rregullat e klasifikimit
Nëse dy ose më shumë ekipe kanë pikë të barabarta në fund të “Final 4”, atëherë renditja e tyre do të bazohet në klasifikimin përfundimtar të 36 javëve të kampionatit “Abissnet Superiore”. Ekipi fitues i play-off “Final 4” do të shpallet kampion i “Abissnet Superiore” dhe do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa 2 ekipet e tjera të renditura më mirë do të marrin pjesë në UEFA Conference League.
Në rastet kur ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë është i renditur në 3 vendet e para të play-off “Final 4”, e drejta për të marrë pjesë në UEFA Conference League do t’i takojë vendit të 4-t të renditur në play-off “Final 4”.
Sa i përket fundit të renditjes nuk ka ndryshime, teksa vendi i 9-të dhe i 10-të bien automatikisht në Kategorinë e Parë, kurse skuadra e vendit të 8-të do të zhvillojë një finale me fituesin e play-off të Kategorisë së Parë.