Disa arrestime dhe procedime penale në gjendje të lirë janë kryer në qarkun e Korçës ditën e sotme, ku konkretisht u ndaluan 2 persona dhe u lanë në ndjekje të lirë disa të tjerë.
Policia e Devollit arrestoi një 21-vjeçar që ishte shpallur më herët në kërkim me inicialet F. K., banues në fshatin Bitinckë, pasi më parë gjykata e Korçës e kishte dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Vjedhje”.
Nga ana tjetër policia e Pogradecit ka arrestuar në flagrancë 50-vjeçarin me inicialet S. H., banues në fshatin Buçimas, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur me një send të mprehtë, vajzën e tij 17-vjeçare.
Ndërsa prokuroria e Korçë ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 38-vjeçarin me inicialet M. Zh., banues në fshatin Tren, pasi duke drejtuar një motor, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Ai më pas u dërgua në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan prokurorisë pranë Gjykatës së Korçës, për veprime të mëtejshme.