Gazment Bardhi ka folur nga seanca e sotme plenare duke akuzuar kryetaren e Parlamentit se po shkel procedurat në lidhje me diskutimet e rendit të ditës.
Sipas Bardhit, vjedhja e shekullit, sikurse e cilësoi ai atë të inceneratoprëve, nuk mund të kalojë në heshtje në seancë, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama si kreun e kësaj afere.
“Kaluat katër çështje për të cilat kërkuam diskutime në rendin e ditës për procedurë. E kuptoni se sa qesharakë jeni? Ne jemi prezentë në seancë, numërojmë njëri-tjetrin. Kur ju falsifikoni në mes të ditës, në seancë plenare, votën e deputetëve.
Ju gënjeni për çdo gjë, manipuloni për çdo gjë dhe mendoni se do të bëni sot seancë normale plenare. E kuptoj që doni ta kaloni këtë vjedhje të shekullit në heshtje, por s’mund ta kaloni aferën e inceneratorëve ku janë përfshirë të gjithë nga Edi Rama i pari dhe nuk mund ta bëni këtë gjë pa ardhur këtu kryemafiozi juaj.”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Gazment Bardhi.