Shumica socialiste me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim votoi projektligjin që synon të ndalojë largimin e mjekëve të rinj nga Shqipëria. Ligji “për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë” sipas qeverisë është masa e duhur për të siguruar shërbimin shëndetësor për qytetarët.
Opozita e kundërshtoi dhe kërkoi që studentët të dëgjoheshin në Parlament si palë e interesuar, por kërkesa u hodh poshtë nga partia në pushtet. Para ndërtesës së Kuvendit studentët e mjekësisë protestuan për disa orë.
Ata kanë paralajmëruar se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin që i detyron të punojnë në Shqipëri për një periudhë deri në 5 vjeçare pas diplomimit.
Por çfarë ndodh tani, deri sa të shprehet Kushtetuesja nëse do të çohet?
Së pari maturantët që duan të futen në universitetin e Mjekësisë këtë vit nuk kanë zgjedhje tjetër, ose të futen dhe të firmosin marrëveshjen që në fund të gjashtë viteve që të punojnë pesë vite në atdhe, ose nuk do të pranohen.
Pjesa tjetër që janë në universitet kanë vendime progresive. Studentët që janë nga viti i dytë në të katërtin duhet të punojnë tre vite në atdhe dhe ata që janë në dy vitet e fundit dy vite. Në të kundërt do të duhet të paguajnë tarifën reale të studimeve, e cila nuk është vendosur por mund të shkojë deri në 5 mijë euro në vit.
Në fund të gjashtë viteve, nëse brenda një viti studentëve nuk u sigurohet puna në Shqipëri mund të tërheqin diplomën dhe të largohen ku të duan. Gjithashtu do të rriten kuotat e pranimit në degën e Mjekësisë, duke e çuar numrin në 500. Vendimi hapi derën për universitetet private.