Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do ta nënshkruajë Ligjin për pagën minimale derisa Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për të.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
Ai ka thënë se Gjykata e ka njoftuar të premten presidenten se Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe dy deputetë tjerë e kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit në fjalë.
AAK-ja, parti opozitare në Kosovë, ka thënë më herët gjatë ditës se, përmes dërgimit të ligjit në Kushtetuese, synon që të ndalë “një padrejtësi të madhe rreth pagës minimale”.
Ligji për pagën minimale është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik.
Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Mirëpo kundër miratimit të ligjit kanë dalë disa parti opozitare dhe veteranët e luftës, të cilët janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në ndryshimet ligjore.
Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata./REL
Artikulli i plotë këtu.