Tjetër çarje brenda PD-së zyrtare. Kryesia e partisë me një vendim që mban datën 18 korrik i ka hequr të drejtën e vulës sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi duke ia kaluar të drejtën sekretarit për cështjet ligjore, Indrit Sefa. Vendimi erdhi, teksa Bardhi me shtatë deputetë po tentonin që të mblidhnin këshillin kombëtar për të anuluar zgjedhjet e 29 Korrikut, ku Basha do të zyrtarizojë kthimin në krye të partisë. Këtë vendim, Bardhi e cilëson qesharak. Sipas tij, statutin e PD-së nuk e ndryshon dot Kryesia, por Kuvendi Kombëtar.
“Nuk e kam zakon te komentoj veprime dhe akte qesharake dhe nen e efektin e dëshpërimit. Por për kureshtjen tuaj: Vula administrohet sipas nenit 8 të Statutit dhe urdhrit nr. 218, datë 07.11.2019 të Kryetarit të Partisë; ndërsa dokumentimi, arkivimi, dhe protokollimi behet sipas nenit 21 të Statutit të Partisë dhe rregullave të miratuara me udhëzimin nr. 8, datë 19.01.2020 të Sekretarit të Përgjithshëm. Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetem dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund tju vij këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë” shkruan ai.