Gjykata e Sarandës ka liruar nga burgu të arrestuarin e vetëm në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit alias i njohur si “Koçole” në fshatin Vrinë.
Ata rezultojnë të zhdukur që nga 6 Prilli i këtij viti dhe në lidhje me këtë ngjarje u arrestua Sofokli Baxheri i cili dyshohet se ka lëshuar me qira një shtëpi për grupin kriminal i cili mendohet se ka rrëmbyer 2 të zhdukurit. Ndërkohë është marrë vendimi për Baxherin për zbutjen e masës së sigurisë duke e lënë të lirë me “detyrim paraqitje”.
Mësohet se ky vendim është marrë pak ditë më parë, duke e lënë çështjen e dy personave të zhdukur një mister.
Nga hetimet ndaj Baxherit rezulton se ai ka një aktivitet tregtar në Sarandë ku merret me blerjen, dhënien me qira dhe shitjen e pronave të paluajtshme.
28-vjeçari është njeriu që ka gjetur shtëpinë me qira në fshatin Nivicë të Himarës, aty ku më pas është zbuluar prej policisë dhe makina tip “Benz-Mercedez”, me të cilën është rrëmbyer në Sarandë, Fatmir Sulovari.
Baxheri, ka dhënë një dëshmi kontradiktore përballë grupit të hetimit, duke u shprehur se shtëpinë ja kishte dhënë me qëra një personi që jetonte jashtë shtetit, të cilin nuk ja kujtonte emrin.
Policia dhe prokuroria e Sarandës dyshojnë se pikërisht në këtë shtëpi, kanë qëndruar anëtarët e grupit kriminal që kanë kryer vrasjen e dy personave Fatmir Sulovarit, Leonard Theodhorit dhe vendosjen e tritolit në banesën e ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo e ndodhur në 5 Dhjetor 2022 në Sarandë.