Kryesia e Partisë Demokratike, që u mbledh pasditen e sotme, ka dalë me një deklaratë në të cilën thuhet se vendimi i Bardhit për të thirrur online mbledhjen e Këshillit Kombëtar është anti-statutor. Kryesia njofton se ka vendosur që të dërgojë veprimet e Bardhit në Këshillin e Etikës.
“Ditën e sotme jemi njohur me veprimet e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike që kanë për objekt thirrjen e mbledhjes së atij që pretendohet se është Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike.
PD tkurr listën e anëtarësisë me 50 mijë anëtarë, “shpërthen” Bardhi: Damkë turpi!
Ky veprim i sotëm është në vazhdën e veprimeve dhe akteve të kohëve të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm për mospjesëmarrjen në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, për mosprotokollimin dhe moszbatimin e vendimeve të Kryesisë së Partisë Demokratike, si dhe moskryerjen e detyrave funksionale.
Me shqetësim vlerësojmë se veprimi i fundit është në kundërshtim të hapur me germën dhe frymën e statutit të Partisë Demokratike.
Kushdo është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij politike, por jo duke shkelur statutin dhe shkelmuar sakrificat dhe qëndresën e demokratëve. PD është ndarë njëherë e mirë me të shkuarën e saj të vjetër dhe demokratët janë të qartë dhe të vetëdijshëm për zgjedhjen e tyre.
Mbetemi të bindur se riorganizimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Partisë Demokratike është frymëmarrja që i duhet demokratëve për përballjen e tyre me regjimin e Edi Ramës. Këtë të shtunë, me 29 korrik, demokratët do të zgjedhin kryetarin e tyre dhe Partia Demokratike do të nisë rrugën e riorganizimit dhe ringritjes së saj.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.