Bashkimi Evropian i ka vlerësuar takimet e fundit në Bruksel mes të dërguarit të lartë për dialog Miroslav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç si “të vështira” dhe se ato “nuk kanë prodhuar rezultate të menjëhershme”.
Zëdhënësi i BE-së, edhe pse nuk i komentoi deklaratat e Bislimit, përsëriti thirrjen e BE-së për shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Kosovës, si dhe bëri thirrje që serbët që jetojnë në katër komunat veriore të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Bislimi një ditë më parë tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.
Masat ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës pasi e bëri fajtore për përshkallëzim të situatës në veri të vendit përfshijnë:
suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale./REL