Komisioni i Etikës në Partinë Demokratike ka shfuqizuar vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi për të thirrur Këshillin Kombëtar.
Në vendim thuhet se thirrja e Këshillit Kombëtar nga ana e Gazment Bardhit pas kërkesës së disa deputetëve është një akt absolutisht i pavlefshëm e në kundërshtim me Statutin e Partisë Demokratike.
Komisioni thotë se pasi shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Kryesia e Partisë Demokratike e përfaqësuar nga përfaqësuesi Indrit Sefa vlerëson se ‘Sekretari i Përgjithshëm nuk ka tagrin të përcaktojë një rend dite, në rastin e thirrjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar sipas pikës 4 të nenit 46, të ndryshëm nga “Komandimi i Nënkryetarit në detyrën e Kryetarit të Partisë”.
Kujtojmë se, një kohë kur një pjesë e Partisë Demokratike të vulës vijon përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të ri, e me shumë gjasë rikthimin e Lulzim Bashës, një pjesë tjetër, konkretisht 7 deputetë, kërkojnë anulimin e zgjedhjeve.
Kështu dy ditë para zgjedhjeve për kryetar të PD-së, pra me datën 27 korrik, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi bën me dije se do të mbledhë Këshillin Kombëtar të PD-së, pas kërkesës së 7 deputetëve për anulimin e zgjedhjeve për kryetar.
7 deputetët të cilët kërkojnë anulimin e zgjedhjeve brenda PD-së janë Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Xhelal Mziu, Helidon Bushati, Sajmir Korreshi dhe Ramadan Likaj. Këta të fundit pretendojnë se partia nuk është pronë.
Kryesia e Partisë Demokratike me një vendim të marrë më datë 18 korrik 2023, ka vendosur që vulën e partisë t’ia marrë sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhit dhe t’ia kalojë kompetencën për prodhimin dhe përdorimin e saj, sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Indrit Sefës.
Ky vendim ka ardhur për shkak të situatës së krijuar për procesin zgjedhor të 29 korrikut, pasi nuk vuloseshin dokumente të domosdoshme për këtë proces.