Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në Kosovë, Michael Davenport për mes një postim në llogarinë e tij në Twitter ka reaguar në lidhje me kërcënimet ndaj policëve të rinj serb në Kosovë.
Davenport në reagimin e tij shkruan se të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët duhet të dënohen pa rezerva.
“Të gjitha përpjekjet për të frikësuar apo kërcënuar oficerët e PK-së apo kadetët që fillojnë karrierën në polici duhet të dënohen pa rezerva. Ata që janë përgjegjës duhet t’i nënshtrohen me vendosmëri llogarisë”, ka shkruar Davenport.
Më tej ai shtoi se misioni i OSBE-së mirëpret dhe mbështet aktivisht angazhimin e Policisë së Kosovës në rritjen e kontaktit me të gjitha komunitetet dhe prioritizimin e rekrutimit të kadetëve nga komunitetet joshumicë në mbarë Kosovën.
“Një forcë policore profesioniste kudo duhet të pasqyrojë diversitetin e popullsisë që është aty për t’i shërbyer”, shtoi shefi i OSBE-së në Kosovë.