Italia po përballet me shumë variante të motit ekstrem në të njëjtën kohë, me pjesët jugore të vendit të djegura nga nxehtësia e madhe, ndërsa veriu është goditur nga stuhitë vdekjeprurëse.
Vetëm të martën, moti ekstrem vrau të paktën gjashtë persona, sipas autoriteteve italiane. Një adoleshente dhe një grua ndërruan jetë nga rrëzimi i pemëve teksa stuhitë e forta goditën veriun e Italisë në orët e para të mëngjesit të së martës.
Katër të moshuar humbën jetën si pasojë e zjarreve në ishullin jugor të Siçilisë dhe qytetin bregdetar Reggio Calabria.
Brigada e zjarrfikësve të Italisë tha se ata iu përgjigjën 400 thirrjeve emergjente për pemë të rrëzuara, dëmtime të çatisë, përmbytje dhe thyerje të xhamave pasi stuhitë shkaktuan dëme të mëdha në zonë.
Ditët e fundit, veriu i Italisë është goditur nga moti i keq, i cili gjithashtu ka prodhuar tornado dhe erëra të forta. Javën e kaluar, 100 persona u plagosën pasi breshri me madhësi të topit të tenisit ra në rajonin e Venetos.
Ndërsa stuhitë prishin veriun, jugu po mbytet nën një valë ekstreme të të nxehtit. Në disa pjesë të Siçilisë, temperaturat arritën 47.4 gradë Celsius të hënën, duke arritur afër rekordit evropian të temperaturës prej 48.8 gradë Celsius, të vendosur në 2021.
Më shumë se 40 zjarre shpërthyen në Siçili të hënën mbrëma, duke përfshirë një në landfillin Bellolampo që prodhoi tym helmues, sipas brigadës italiane të zjarrfikësve. Më shumë se 1500 njerëz janë evakuuar nga rajoni i prekur dhe disa shtëpi janë dëmtuar. /CNN