Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar me anë të një postimi në Facebook pas operacionit në Lezhë, ku u arrestua një ish-efektiv policie dhe një kultivues i lëndëve narkotike, si dhe u shpallën në kërkim një tjetër ish-polic dhe një 30-vjeçar.
Ministri shprehet se Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina.
Ai thekson se “vetëm sa ka nisur sot” dhe se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.
Balla shton se sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët sipas tij, ishin në ortakëri me trafikantët.
Në fund ai inkurajon dhe përgëzon forcat e policisë duke i motivuar për operacionet në vazhdim.