Sapo ka përfunduar një sezon televiziv, e gjithçka duket gati për të nisur një tjetër stafetë, në shtator.
E gjithë vëmendja edhe këtë sezon është te format “reality”, që do të mbajnë mbërthyer publikun para ekranit. E nëse për “Big Brother” është herët për të folur, kanë nisur tashmë të përfliten emrat e parë të “Dancing with the stars”.
“Dancing” pritet të nisë në shtator edhe këtë herë do të jetë nën moderimin e Bora Zemanit, e cila do të heqë dorë përfundimisht nga “Përputhen”.
Një emër tjetër që i rikthehet ekranit është edhe Efi. Finalistja e “Big Brother” mesa duket i ka thënë “Po” ftesës për të kërcyer me yjet.
Vetë Efi e kishte paralajmëruar një fakt të tillë në rrjetet e saj sociale, natyrisht pa bërë me dije se ku do ta shihnim.
Rikthimi i Bora Zemanit në krye të “Dancing with the stars” lë bosh njëherë e mirë vendin e saj si prezantuese e “Përputhen”.
Mesa duket edhe ky pozicion tashmë e ka gjetur zëvendësuesen. Bëhet me dije se do të jetë pikërisht Kiara Tito ajo që sezonin e ardhshëm do të moderojë formatin e përditshëm të dashurisë.
Gjatë qëndrimit në “Big Brother Vip”, moderatorja Kiara Tito nuk ka nguruar ta shprehë dëshirën e saj për të pasur një emision në “Top Channel”. Madje, shpesh Kiarën e kemi parë të moderojë “emisione” të ndryshme në “Big Brother Vip”. /Panorama