Shtatë kompanitë më të mëdha të teknologjisë së fundmi ranë dakord të përmbushin një sërë masash kontrolli jodetyruese të propozuara nga Presidenti Joe Biden për të zhvilluar teknologjitë e tyre të inteligjencës artificiale në një mënyrë të sigurt dhe transparente.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh i hedh një vështirim parimeve me të cilat këto kompani kanë rënë dakord. Por sa realiste janë zotimet e tyre?
Kjo ishte një nga kërkesat kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden për kompanitë që po zhvillojnë projekte me Inteligjencë Artificiale.
Gjigantët e teknologjisë Amazon, Google, Meta dhe Microsoft janë pjesë e një grupi prej shtatë kompanish që premtuan të zbatojnë masat mbrojtëse të Inteligjencës Artificiale të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë.
Disa nga parimet që kompanitë janë zotuar t’i zbatojnë janë mjaft praktike, thotë David Broniatowski profesor në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin ‘George Washington’.
“Për shembull, zbatimi i vendosjes së shenjave identifikuese në projektet e mëdha si ChatGPT është lehtësisht i realizueshëm. Këto shenja ndër të tjera do të ndihmonin njerëzit që të kuptonin nëse lajmet që shohin në internet janë prej një burimi të saktë apo prej një burimi pak të besueshëm”, thotë profesor David Broniatowski nga Universiteti ‘George Washington’.
Katër gjigantët e teknologjisë, së bashku me krijuesin e projekteve të Inteligjencës Artificiale ‘ChatGPT’, ‘OpenAI’ dhe kompanitë e reja si ‘Anthropic’ dhe ‘Inflection’, janë zotuar se do të pranojnë që verifikimi i sigurisë së projekteve të tyre të kryhet pjesërisht nga ekspertë të pavarur.
Kjo do bëhet me qëllim për t’u mbrojtur nga rreziqet kryesore, përfshirë biosigurinë dhe sigurinë kibernetike, tha Shtëpia e Bardhë.
Kompanitë e mëdha dhe ato më të vogla të teknologjisë do të duhet të gjejnë balancën mes rrezikut dhe inovacionit në lidhje me Inteligjencën Artificiale./VOA