Gjykata e Lezhës gjeti fajtorë dy persona të akuzuar se sulmuan dhe dhunuan gazetarin Elvis Hila dhe bashkëshorten e tij në Janar të këtij viti.
Vendimi u mor më 25 korrik, në një proces të shkurtuar. Gjykata dënoi Indrit Amerin me 7 muaj e 5 ditë burg dhe Paulin Luka (Pergjini) me 6 muaj burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimet u ulën në 5 muaj për Amerin dhe 4 muaj për Lukan.
Ky i fundit u la i lirë pasi u konsiderua se ka kryer dënimin me kohën e paraburgimit. Hila, që punon prej vitesh si korrespondent nga Lezha për Report Tv dhe Shqiptarja.com, por që po ashtu bashkëpunon edhe me BIRN, u sulmua pas raportimit për një vendim të Gjykatës së Lezhës ndaj të afërmit të njërit prej të akuzuarve.
Sulmi ndaj Hilës u dënua ashpër nga dhjetëra kolegë gazetarë që e cilësuan aktin si burracakëri, ndërsa i bënë thirrje policisë të reagonte dhe ndalonte autorët e dyshuar. Reagim pati edhe nga European Centre for Press and Media Freedom (Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (International Press Institute).
Po ashtu ndaj sulmit reaguan edhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe përfaqësues të tjerë politik.
Të akuzuarit, edhe pse u shpallën në kërkim menjëherë pas ngjarjes, qëndruan për gati 3 muaj në arrati dhe u arrestuan në maj të këtij viti.
Arrestimi dhe dënimi i tyre është ndër rastet e rralla që sulmi apo pengimi i gazetarëve në krye të detyrës ndëshkohet./BIRN