Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.
“Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundoj edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shatori si udhëzim administrativ me të cilin mund të referohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizim të peticioneve apo largimin e kryetarëve,” tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Ministri i pushtetit lokal Elbert Krasniqi tha se me këtë dokument pritet të përcaktohet rregullat se si të organizohet peticioni, i cili sipas tij duhet të shprehë vullnetin e 20 për qind të votuesve të një komune për të pasur sukses.
Zgjedhjet e reja në veri janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.
Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, duke zvogëluar praninë e njësive të policisë me 25 për qind në ndërtesat komunale në veri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Janë dy rrugë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja; përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe peticioni që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. /VOA
Artikulli i plotë këtu.