Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar sot një protestë para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pas raportimeve të fundit në media lidhur me furnizimet për rezervat shtetërore.
Sipas këtyre raportimeve, pagesat janë kryer por që malli nuk ka ardhur.
“Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”; “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”; “Ju me zemër, na pa bukë!” – janë disa nga parullat e aksionit të sotëm të RDK-së.
Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT në krye me ministren Rozeta Hajdari deri tani ka shpërfaqur vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike.
“Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandalet e saj të njëpasnjëshme nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit t’i hetojnë këto skandale korruptive”, tha Salihu.