Zëdhënësja në Komisionin Evropian, Zoi Muletier është shprehur se Bashkimi Evropian është në gatishmëri që të ofrojë mbështetje ligjore dhe teknike për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës
“BE-ja pret të marrë më shumë informacion nga autoritetet për hapat e mëtejshëm konkretë që do të çonin në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Në deklaratën e saj të 3 qershorit, BE-ja kishte kërkuar që zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës të mbahen pa vonesë”, tha ajo.
Ky qëndrim i BE-së erdhi pasi Qeveria ka nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të vendit.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.