Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar pas aksionit të policisë, i cila zbuloi një parcelë me kanabis në repartin ushtarak në Zall Herr.
Me anë të një reagimi në Facebook, Peleshi njoftoi se ka pezulluar nga detyra përgjegjësit e repartit.
Teksa bën një përshkrim të operacionit në fjalë, Peleshi thotë se dënon me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit.
Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës.
Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast,” ka thënë ministri në reagimin e tij.