Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara nga Partia Republikane, Mike Pence, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të qenë dëshmitar i prokurorisë, nëse ish-shefi i vet Donald Trump përfundon në gjyq nën akuzat për orkestrimin e një konspiracioni kriminal për ta shfuqizuar disfatën e tij në zgjedhjet presidenciale më 2020.
I pyetur nga CBS nëse ai do të bëhej dëshmitar kundër Trump, nëse rasti shkon në gjykim, Pence tha se nuk ka “plane” për të dëshmuar, por nuk e hodhi poshtë mundësinë për ta bërë këtë.
“Por, njerëzit mund të kenë besim se ne do t’i bindemi ligjit, ne do t’i përgjigjemi thirrjes së ligjit, nëse vjen ajo, dhe ne thjesht do ta themi të vërtetën,” tha Pence, i cili po garon kundër Trumpit në garën për kandidatin e republikanëve për president.
Pence u bë figurë qendrore në aktakuzën e fundit kriminale që u ngrit ndaj Trump më 1 gusht nga Departamenti i Drejtësisë, e cila e ngarkon ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara me akuza se ka tentuar të mbetet në pushtet jashtëligjshëm, pasi i humbi zgjedhjet presidenciale kundër demokratit Joe Biden më 2020.
Para dhe gjatë certifikimit të fitores së Biden në Kongres më 6 janar 2021, Pence i mbikëqyri procedurat në rolin e tij ceremonial si president i Senatit të SHBA-së.
Ai u përball me trysni të madhe nga Trumpi për ta shfuqizuar rezultatin e zgjedhjeve, por nuk pranoi.
Disa nga përkrahësit e Trump, të cilët shkaktuan trazira në Kapitolin e SHBA-së, brohoritën “vareni Mike Pence!” /REL
Artikulli i plotë këtu.