Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka kryer një vizitë në Spitalin e Traumës ku takoi efektiven, Arta Shurbi e cila u plagos paradite nga një aksident i regjistruar në Vorë.
Gjatë fjalës së tij Balla u shpreh se gjendja shëndetësore e efektives është e stabilizuar.
“Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë jemi këtu për të parë nga afër situatën shëndetësore të një prej vajzave të forcës sonë të Policisë së Qarkullimit Rrugor.
Për fat të mirë gjendje shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Por natyrshëm, sikurse u informuam nga drejtuesit e Spitalit të Traumës, do të vazhdojë kujdesi intensiv në orët në vijim, sepse ka pasur disa dëmtime.
Nuk po hyj në detajet e gjendjes shëndetësore, por lajmi i mirë është se është jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë një rast aksidental, por ju sqaroj se punonjësja e Policisë ka mbërritur aty pasi ka ndodhur një aksident.
Më pas ka ardhur një automjet tjetër, i cili ka aksidentuar punonjësen e Policisë Rrugore. Ajo që dua t’ju them është se ne do të vazhdojmë të kujdesimi për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha ministri.
Balla bëri thirrje për të gjithë shoferët duke u kërkuar të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë Kodin Rrugor.