Pushimeve të Silvinhos po iu vjen fundi, ndërsa trajneri i kombëtares së Shqipërisë duket se po mendon që tani për sfidat e shtatorit në eliminatoret e Euro 2024 ku “kuqezinjtë” do luajnë kundër Çekisë dhe Polonisë.
Për këto dy sfida, aventurën e tij shqiptare, por edhe objektivat e së ardhmes, trajneri brazilian ka folur në një intervistë të gjatë për “Radio Marca” në Spanjë, përcjell abcnews.
“Ne e nisim planifikimin me stafin dhe kombëtarja është çështje e komplikuar. Në qershor ishte e vështirë për ngarkesat e punës, pushimet. Tani nga pak është pak më ndryshe, vjen nga faza përgatitore me pak ndeshje dhe duhet të gjejmë lojtarët më të përgatitur për dy ndeshjet që kemi më 7 dhe 10 shtator”,- u shpreh tekniku brazilian.
Sylvinho tregon për radion spanjolle edhe forcën e skuadrës kuqezi, por nuk harron të nënvizojë edhe faktin se ende nuk e ka grupin e plotë për shkak të dëmtimeve.
Tekniku kuqezi nuk e fsheh objektivin e parë madhor që beson se do ta arrijë në pankinën e kombëtares shqiptare.
Nga objektivat realë te ëndrrat e mëdha, si për shembull një ndeshje kundër Brazilit me trajner Anccelotin.
“A e imagjinoj një Brazil-Shqipëri me Anccelotin në pankinën e Brazilit dhe Sylvinhon në atë shqiptare? Si jo, sigurisht që po. Ancceloti te Brazili ndërsa drejton Realin? Një temë e komplikuar, mungojnë shumë gjëra. Ancceloti është ndër më të mirët, të mos themi më i miri, është një nga më të mëdhenjtë, i jashtëzakonshëm, ai po bën gjëra të mëdha”,- u shpreh në fund të intervistës tekniku Sylvinho.
Me Silvinjon në pankinë, kombëtarja e Shqipërisë renditet në vendin e dytë të Grupit E eliminator të Euro 2024 me dy fitore dhe një humbje.