Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, siguroi një urdhër sekret janarin e kaluar për të kontrolluar informacionet nga llogaria e ish-presidentit Trump në Twitter, tregojnë dokumentet e dorëzuara në gjykatë të mërkurën.
Një gjykatëse e gjobiti kompaninë e mediave sociale me 350 mijë dollarë për mosrespektim të shpejtë të urdhërit për kontrollin e llogarisë së ish-presidentit Trump.
Zoti Trump kaloi pothuajse të gjithë mandatin e tij katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë, duke postuar mijëra komente në Twitter, megjithëse nuk është e qartë saktësisht se çfarë informacioni po kërkonte prokurori Smith me urdhrin për kontrollin e llogarisë së ish-presidentit.
Komentet në Twitter janë tashmë publike dhe zoti Trump shpesh e përdor platformën e mediave sociale për të fyer kundërshtarët e tij politikë dhe të tjerët me të cilët nuk është dakord.
Ai gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të tij për tubime politike, si ai pranë Shtëpisë së Bardhë më 6 janar 2021, pak përpara sulmit në Kapitol, të organizuar nga mbështetësit e tij, të cilët u përpoqën të bllokonin ligjvënësit që të certifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Në dhjetor, përpara tubimit atë ditë, zoti Trump kishte përdorur Twitter-in për t’i nxitur mbështetësit që të shkonin në Uashington, duke thënë se 6 janari “do të jetë i egër”.
Prokurori Smith tashmë ka paditur dy herë ish-presidentin Trump. Javën e kaluar në Uashington, ndaj ish-presidentit u ngrit aktakuza për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Më herët në Florida, ai u akuzua për mbajtje në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago dhe për komplot për të mos i dorëzuar ato tek hetuesit federalë.