Policia e Vlorës ka arrestuar mbrëmjen e djeshme një person të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Njoftohet se autoritetet kanë bërë të mundur arrestimi i 29-vjeçarit Hasim Musaraj (Murataj), i kërkuar nga autoritetet italiane për vrasje me armë zjarri.
29-vjeçari në bashkëpunim me dy persona të tjerë shqiptarë, në tetor të vitit 2017, ka vrarë me armë zjarri Shpëtim Frashërin.
Efektivët kanë pikasur mjetin e Hasim Musarajt (Murataj) në zonën e Ujit të Ftohtë dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar.
Nga verifikimet e kryera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.