Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorimeve sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore. Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj. Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale – e cila e ka dhënë urdhrin për arrestime – tha se të arrestuarit janë personat me inicialet, R.M. H.G dhe I.L. Të arrestuarve u është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.
Në njoftim është përmendur edhe bastisja e disa ambienteve dhe sekuestrimi i provave materiale.
Ministria tha se gjatë 18 gushtit janë kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”, u tha në reagimin e MINT-it.
Sipas raportimeve të mediave lokale në Kosovë, i arrestuari i tretë është Ridvan Muharremi, dhe në këtë rast ka dyshime për keqpërdorime në rezervat shtetërore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se duhet të pritet epilogu i rastit.
“Për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Në këtë moment, nga informatat që i kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar deklarim më vonë gjatë ditës për këtë rast.
Arrestohen dy drejtorë të Ministrisë së Industrisë në Kosovë