Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nuk do të marrë pjesë në darkën informale që do të mbahet në Athinë më 21 gusht. Presidenca bën me dije se Shqipëria nuk do të jetë pjesëmarrëse në këtë darkë për shkak të axhendës së kreut të shtetit.
“Në përgjigje të interesit tuaj ju bëjmë me dije, se më 14 gusht 2023, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka derguar një ftesë Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, për të marrë pjesë në një darkë informale, më 21 gusht 2023, në Athinë.
Një ditë më pas, më 15 gusht 2023, Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Evropës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët” deklaroi Presidenca shqiptare.
Kryeministri grek shmangu homologun shqiptar Edi Rama në këtë tryezë duke ftuar Presidentin, i cili nuk do të marrë pjesë. Po a ishte shmangia e kreut të qeverisë me qëllim? A kanë ndikuar tensionet e fundit për arrestimin e Fredi Belerit? Në muajt e fundit raportet mes dy qeverive janë futur në një spirale krize.
Prezentë në këtë darkë informale me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor do të jenë zyrtarët më të lartë të Brukselit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i RMV-së, Dimitar Kovaçevski dhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Kristo.
Bojkot! Vjen krisja e parë e raportit të Shqipërisë me Greqinë?