Kosovare Asllani me një gol mahnitës në pjesën e dytë e vulosi fitoren e Suedisë kundër Australisë, për t’ia siguruar kombëtares së vet vendin e tretë në Kupën e Botës së grave 2023.
Futbollistja nga Kosova gjuajti nga cepi i zonës së 16-metërshit për të shënuar për epërsinë e dyfishtë të Suedisë, e cila e fitoi medaljen e bronztë në Kupën e Botës për herë të dytë radhazi.
Fridolina Rolfo e kishte kaluar Suedinë në epërsi me një gol nga penalltia në pjesën e parë.
Kosovare Asllani, 34 vjeçe, është shqiptare e Kosovës. Prindërit e saj migruan në Suedi para luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, ku ajo u lind.
Ajo tani luan për klubin e futbollit të grave, AC Milan, në Itali, dhe ka qenë pjesë e Real Madridit në Spanjë dhe Manchester City në Angli.
Asllani, e cila e vizitoi Kosovën vitin e kaluar, në vitin 2017 u shpall futbollistja më e mirë e vitit në Suedi.
Vitin e kaluar, ajo u fut në historinë e futbollit të grave, duke u bërë gruaja e parë që e fiton çmimin “Këmba e Artë” në futbollin ndërkombëtar të grave.
Ky çmim prestigjioz i ndahet një futbollisti apo futbollisteje që e ka kaluar moshën 29-vjeçare dhe ka personalitet të fortë dhe karrierë të suksesshme ndërkombëtare./REL