Në një samit të tre vendeve, SHBA, Koresë së Jugut dhe Japonisë u theksua solidariteti mes tyre dhe u dërgua një sinjal i qartë ndaj Kinës dhe Koresë së Veriut.
Presidenti amerikan, Joe Biden,presidenti koreano-jugor, Yoon Suk Yeol dhe kreu i qeverisë japoneze, Fumio Kishida u takuan në rezidencën e presidentit amerikan, Camp David pranë Uashingtonit. Biden bëri fjalë për një “epokë të re partneriteti”. Dhe jo “për një ditë, një javë apo një muaj, por për dekada e dekada.”
Yoon theksoi, se, Camp David do të “mbetet në kujtesë si një vend historik, në të cilën Republika e Koresë, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara bënë të ditur, se duan të forcojnë rendin botëror të bazuar në rregulla dhe do të luajnë rol kyç për të rritur sigurinë rajonale dhe mirëqenien.”
Në një deklaratë të përbashkët, Biden,Yoon dhe Kishida dënuan “sjelljen e rrezikshme dhe agresive të Kinës” në Detin Jugor Kinez. “Ne jemi në mënyrë strikte kundër tentative për të ndryshuar status quonë në ujërat e Indo-Paqësorit”. Kina, një fuqi ushtarake në rritje ngre pretendime për hapësira të mëdha në Detin Jugor Kinez.









