Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç e konsideroi të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj, qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës, për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi.
Ai tha se legjilatura e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit.
“Pres që formimi i qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirisht të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare, si dhe në përparësitë programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardeve të jetës si dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës,” tha zoti Milatoviç.
Komenti i presidentit malazez pason deklaratat e zyrtarëve të Beogradit për përfaqësimin e serbëve në qeverinë e re të Malit të Zi si dhe deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Milosh Vuçeviç, i cili ditë më parë në një televizion në Beograd, kërcënoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Keni bërë një gabim që t’u bjerë kokës, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës,” tha Milosh Vuçeviç .
Ai tha se “ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke shtuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj”.
Edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç, Andrija Nikoliç tha se zoti Vuçeviç po i bie daulleve të luftës me qëllim të destabilizimit të rajonit. /VOA