Që në orët e mëngjesit të 22 gushtit, Greqia vijoi luftën ndaj zjarreve të cilat morën jetën e dy personave dhe detyruan shumë të tjerë të evakuoheshin. Kjo është vala e dytë vdekjeprurëse e zjarreve masive brenda vetëm një muaji.
Zjarret vazhduan të digjen në mënyrë të pakontrollueshme në pjesën verilindore të Greqisë, ishujt Evia dhe Kythnos, si dhe rajonin e Beoetia në veri të Athinës. Zjarret janë shpërndarë në mënyrë të shpejtë shkaku i erërave të forta dhe temperaturave deri në 41 gradë Celsius.
“Ka nëntë fronte aktive… situata është e ngjashme me atë gjatë korrikut,” tha një zëdhënëse e departamentit të zjarrit për agjencinë e lajmeve AFP, duke iu referuar zjarreve që lanë pesë persona të vdekur gjatë korrikut.
Në orët e vona të mbrëmjes së 21 gushtit u vendos që banorët e zonave të rrezikuara të evakuoheshin në spitalin e Alexandroupolis, një qytet në verilindje të Greqisë ku zjarret po vazhdojnë për të katërtën ditë radhazi. Roja bregdetare tha se kishte zhvendosur 65 pacientë në një traget në portin e qytetit.
Në ishullin Evia, pranë kryeqytetit grek, zyrtarët evakuuan banorët në qytetin industrial Nea Artaki, ku zjarri dëmtoi fermat e shpendëve dhe derrit.
Flakët kërcënuan edhe parkun kombëtar Dadia, ku u gjet trupi i një burri që besohet se ishte një emigrant i padokumentuar. Një bari i moshuar gjithashtu u gjet i vdekur në rajonin e Boeotia më herët më 21 gusht.
Bashkimi Evropian njoftoi se do të dislokonte dy avionë zjarrfikës nga Qipro dhe një ekip zjarrfikës rumun nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes civile të bllokut evropian. /REL