“Keni bërë një gabim që t’u bjerë kokës, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës,” këto ishin deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Milosh Vuçeviç, i cili ditë më parë në një televizion në Beograd, kërcënoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai tha se “ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke shtuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj”.
Ndaj këtyre pretendimeve të zyrtarit të lartë të qeverisë së Serbisë kanë reaguar ashpër Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç e konsideroi “të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës) sikurse tha ai, për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”.
Në reagimin e tij, Rama kujton se Shqipëria, RMV dhe Mali i Zi janë aleate të NATO-s dhe të përkushtuara plotësisht ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit.
“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme,” ka shkruar Rama në platformën X. /Telegrafi
Artikulli i plotë këtu.