Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me popullin ukrainas në luftën e tij kundër pushtimit rus.
Ata u mblodhën të hënën në një darkë joformale në Athinë, të organizuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Selanik.
Sipas një njoftimi të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, udhëheqësit e rajonit shkëmbyen mendime për ecurinë e mëtejshme të integrimit evropian.
Ata theksuan se Ballkani Perëndimor është i një rëndësie strategjike për BE-në dhe se anëtarësimi i vendeve të tij në bllok do t’i kontribuonte stabilitetit dhe prosperitetit jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës në tërësi.
Sipas tyre, integrimi më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE kërkon mbështetje të fortë politike si asnjëherë më parë.
“Duke vlerësuar vlerat e BE-së të bazuara në demokraci, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në të ardhmen evropiane.
Siç thuhet në Deklaratën e Selanikut të dy dekadave më parë: ‘Evropa do të jetë vërtet e bashkuar vetëm kur të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë përbërëse e saj,” thuhet në njoftim dhe shtohet se në fund të darkës joformale, liderët ranë dakord për një deklaratë të përbashkët.
Në darkën joformale në Athinë morën pjesë: presidentët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. /REL