Arratia zgjati vetëm disa orë. Policia e Kavajës ka arrestuar një prej personave të dyshuar për sherrin në Kavajë mbrëmjen e së mërkurës, ku një 44-vjeçar, Zenel Lushkja mbeti i plagosur si pasojë e goditjeve me sende të forta.
Në pranga ka rënë i riu Daniel Habibi 23 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur një i dyshuar tjetër me iniciale Q.B. Sipas policisë, të dy këta persona dhunuan 44-vjeçarin duke e goditur me sende të forta, si dhe i dëmtuan makinën.
44-vjeçari shkoi në spital ku mori ndihmë mjekësore. Ndërkohë, policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë rast. Shkak dyshohet se ka qenë një borxh rreth 25 mijë Euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.