Sipërmarrjet turistike në Shqipëri po synojnë të gjejnë profesionistë të kualifikuar për t`iu përgjigjur nivelit të shërbimeve që kërkojnë turistët.
Alexa Bordho një instruktore e kalërimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punon në Gjirokastër prej disa muajsh me një kompani shqiptare duke ndarë përvojën e saj.
Aleksa vlerëson sidomos programet e edukimit me kalërimin me kuajt shqiptarë në natyrë që po tërheqin gjithnjë e më shumë të gjitha moshat.
Poshtë këmbëve të Malit të Lunxhërisë në Gjirokastër në një fermë të kalërimit me kuaj Alexa Bordho po zhvillon mësimin e radhës me kuaj për dy fëmijë shqiptarë.
Alexa prej dy vitesh po qëndron në Shqipëri dhe pas një përvoje në Durrës po punon në këtë fermë në Gjirokastër si instruktore kalërimi prej 5 muajsh.
“Eksperienca ime në Shqipëri është me të vërtetë unike, unë realisht kam një vlerësim për të gjitha vendet e Ballkanit, bashkëshorti im është shqiptar dhe është kënaqësi që jam këtu,” thotë Alexa.
“Unë e dua Gjirokastrën. Kam gjetur këtu një qytet të paqtë, shumë të dashur dhe e dua fshatin ku unë jetoj këtu pranë”, thotë Aleksa.
Me një përvojë 15 vjeçare me kuajt Aleksa rrëfen se si e nisi pasionin e saj.
“Unë kur isha e vogël lëviza me mamanë time nga Cikago në Pecatonica një fshat i vogël të Ilinoit. Në atë periudhë unë fillova të pëlqeja kalërimin me kuaj. Për shumë vite kam studiuar për kuajt dhe kam marrë përvojë nga shumë kalërues dhe trainerë të famshëm në Amerikë derisa unë përfundova studimet profesionale.
Ndërkohë që tani po bëj të kundërtën në Shqipëri duke mesuar te tjeret. Që të jetosh në Shqipëri nuk është e lehtë pasi të shkosh në një vend të ri është gjithmonë sfiduese,” thotë Alexa./ VOA
Artikulli i plotë këtu.