Në datën 27 Gusht 1941 në sheshin përballë Akademisë së Shkencave u vendos një nga veprat më spikatëse të të madhit Odhise Paskali, shtatorja e Gjeneral Enrico Tellini e cila kishte një mbishkrim në shenjë mirënjohje të popullit Shqiptar ndaj mikut të rrallë të vet: “Ra dëshmor për Shqipërin”
Sot u mbushën 100 vjet nga nga dita e asaj masakre e cila i mori jetën Gjeneral Tellinit, këtij burri të lartë i cili u vra për arsyen e vetme sepse ishte në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë nga babëzia greke.
Regjioni i Toskanës dhe Provinca e Lucca gjatë ditës së sotme organizojnë aktivitete në kujtim të jetës dhe veprës së Tellinit ndërkohë një heshtje vrastare ka rënë ditën e sotme në Tiranë për veprën e dëshmorit të kufijve Shqiptar.
Hesht Presidenca, hesht qeveria, hesht pushteti lokal, heshtin mediat, hesht shoqëria civile bashkë me organizatat e veta. Duket si një heshtje e mirë orkestruar, por nga kush dhe për cfarë arsye kjo heshtje për mbrojtësin e kufijve tanë. Mbase nuk kanë rëndësi kufijtë për ata që përmenda mësipër, mbase pazaret e viteve të fundit me kufijtë si ata në veri të Kosovës apo të detit në jug janë një arsye për të mos vënë dorën mbi plagë, mbase trashëgimia politike dhe historike komuniste ka rrënjë të forta ne Tiranën e sotme zyrtare, mbase mardhëniet e trazuara më Greqinë do acaroheshin më keq pasi do tu kujtonte këtyre të fundit poshtërimin historik, pasoj e vrasjes së pabesë të gjeneralit. Cilado qoftë arsyeja ne sot reflektuam një mungesë të madhe mosmirënjohje si komb dhe si shtet Shqiptar, pasi nuk vleresuam një figurë me kontribut kaq të madh në historinë tonë kombëtare por me apo pa vetdije mbajtëm anën e vrasësve të Tellinit dhe jo të Shqiptarëve.
Një ndër aktivitetet e para që kam organizuar në emër të Shoqatës Patriotike Çamëria ka qenë për Gjeneral Tellinin ku përveçse u hodh dritë mbi jetën dhe veprën e Tellinit nga panelistët profesor të nderuar kam kërkuar në emër të Shoqatës Patriotike Çamëria rikthimin e shtatores së Gjeneral Tellinin aty ku u vendos 82 vjet më parë kërkesë e cila ra në veshin e shurdhër rë autoriteteve. Tirana zyrtare e cila dikur nderonte Haxhi Qamilin dhe sot plot ordiner kurrësesi nuk nderon figura të papranuara nga fqinjtë aq më shumë Tellinin e vrarë pikërisht nga fqinjtë.
Duke sjellë ndër mend emra që ne nderojmë mes të cilëve ka edhe kriminel si Thimio Loli në Finiq apo edhe gjenerozitetin e kryeministrit për të nderuar në Dropull Kostandin Micotaqis i njohur për operacionet “fshesa” ndaj emigrantëve tanë, ndryshoj kanalet televizive me shpresë të degjoj ndonjë fjalë për Tellinin por më kot, sot mediat i ka pushtuar Qazim Mulleti…