Meterologët patën paralajmëruar për një stuhi të fuqishme që do të godiste brigjet e Mesdheut pas “të nxehtit afrikan” që përjetuam ditët e fundit. Ky paralajmërim vlen edhe për Shqipërinë e cila në orët në vazhdim pritet të goditet nga reshje të dendura, erëra të forta dhe shtrëngata.
Erëra të fuqishme dhe shira të dendur goditën më herët ishujt Baleare, përfshirë Majorkën, dhe gjithashtu Katalonian në Spanjë. Nga stuhia u rrëzuan pemët, u shkaktuan përmbytje masive.
Shtrëngata i la drejtuesit e automjeteve të udhëtonin në kushte të rrezikshme. Ishujt Baleare, Katalonja dhe Valencia u vunë nën alarmin portokalli, ndërsa një nivel rekord reshjesh u shënua në qytetin e Barcelonës.
Erëra të fuqishme dhe reshje të dendura u raportuan edhe në Italinë veriore, fillimisht në Lombardi ku stuhia e dhunshme shkuli pemët dhe çatitë, e më pas në Liguria.
I ashtuquajturi cikloni Popea, që vjen nga Europa veriore, po avancon në Itali, duke ulur gradualisht valën e të nxehtit.