Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu pikëpamjen e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Forumin Strategjik të Bledit, më 28 gusht: “Unë besoj se, nga të dyja anët, duhet të jemi gati për t’u zgjeruar deri në vitin 2030”.
Ai u shpreh i bindur se “është koha për t’i hequr qafe paqartësitë. Është koha për t’i përballuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri. Për të qenë të besueshëm, unë besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë”.
Tani, kjo është sfiduese. Zgjerimi i BE-së ka ngecur prej se Kroacia i është bashkuar bllokut, një dekadë më parë.
Vetë Michel vuri në dukje disa nga sfidat: krijimin e një gjyqësori të pavarur, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, theksoi edhe të qenët gati ekonomikisht, duke vënë në dukje se, aktualisht, bruto prodhimi i brendshëm (GDP) i vendeve të ardhshme anëtare është rreth 50-70 për qind e ekonomisë më të vogël të BE-së.
Dhe në krye të kësaj, diçka që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për BE-në, është përafrimi i politikës së jashtme me atë të bllokut.
“Ne duhet të sigurohemi që konfliktet e kaluara, të mos importohen në BE”, tha Michel në Forumin e Bledit, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësimin në bllokun evropian.
“Një mënyrë për këtë mund të jetë shtimi i një të ashtuquajture ‘klauzolë besimi’ në traktatet e anëtarësimit, për të siguruar se vendet që anëtarësohen, nuk do të mund t’i bllokojnë shtetet e ardhshme anëtare”, tha Michel.
Kjo është në rregull, por çfarë ndodh me shtetet anëtare që tashmë bllokojnë procesin? (Lexo KETU lajmin e plote).