Të shtatë “faktorët” e listuar me poshtë jepen si avantazhe në shumicën e ofertave të pakërkuar që qeveria shqiptare ka marrë gjatë dekadës së fundit, përsëriten në mënyrë automatikisht gati të pavetëdijshme nga patronazhistët në Kuvendin e Shqipërisë dhe i serviren opinonit publik si “zbulime të shekullit”, që do të prodhojnë mirëqenie dhe vetëm mirëqenie për qytetarët.
Me dëshirën për të kontribuar sadopak në çmitizimin e këtyre faktorëve apo të gjoja avantazheve që kanë kontratat e llojit partneritet publik-privat në ekonominë tonë kombëtare (që në fakt janë avantazhe), po komentoj specifikisht secilin faktor të listuar në njërën nga këto oferta, pa ia përmendur emrin.
Arsyet për koncesionin dhe avantazhet e tij ndaj formave standarde të prokurimit publik:
- Realizimi i investimeve nga koncesionari e lejon qeverinë që të mos prekë buxhetin e shtetit, duke e lejuar ate që të perdore burimet në fusha strategjike ku ndoshta aplikimi i koncesioneve do të ishte më i veshtire (arsimi, infrastruktura etj.).
Koment: Të krijon përshtypjen se koncesioni është bamirësi, dhuratë e “vullnetit të mirë të një biznesi”, që vendos të shpenzojë kapitalin e vet për ta kthyer në një të mirë publike.
- Koncesioni nuk prek nivelin e borxhit të shtetit shqiptar, një prioritet ky i politikave financiare dhe ekonomike.
Komenti: kjo është gënjeshtra më e madhe e çdo koncesioni, por bazohet në blerjen e kohës, dmth çdo koncesion është një borxh publik i fshehte…
- Koncesionari mbart risqet e biznesit, dhe ky eshte nje tjetër element që favorizon koncesionin. Qeveria nuk mbart risqe financiare.
Koment: Edhe kjo gënjeshtër është shumë tërheqëse dhe vështirë për t’u besuar. Nëse je në biznes, ke dalë për fituar sa më shumë dhe me risk sa më të vogël dhe kurrsesi në një marrëdhënie biznesi dikush merr mbi vete në ngarkim riskun e biznesit, aq me pak një ofertë e pakërkuar në raport me buxhetin e shtetit…
- Koncesionari do të kalojë 2% të të ardhurave të ministria, duke krijuar kështu një burim shtesë të ardhurash.
Koment: Ky nivel të ardhurash si e mirë publike përbën një përvojë të vendit tonë, që meriton diskutim. Parimisht një nivel i tillë ka kuptim kur kapitali investohet tërësisht nga buxheti, kur kryhen vlerësime në lidhje me përfitueshmërinë e investimit dhe kjo normë është subjekt i negocimit midis palëve. Absurdi i kontratave të këtij lloji ka arritur kulmin në rastin e inceneratorit të Elbasanit që, edhe pse në të janë investuar 100% e fondeve nga buxheti i shtetit, ministria përgjegjëse per infrastrukturën dhe energjinë e ka licencuar koncesionarin me pronarët në kërkim ndërkombëtar si prodhues të energjisë elektrike me detyrimin që t’i paguajë Bashkisë Elbasan …2% të vlerës së energjisë së prodhuar. Përfundimet shpresojmë t’ia japë publikut së shpejti SPAK-u.
- Projekti mund të fillojë menjëherë pas dhënies së koncesionit, duke evituar kështu procedurat standarde per realizimin dhe aprovimin e buxhetit, realizimin e tenderit (apo disa tenderave) që do krijonin vonesa.
Koment: Ky është një ndër arsyet kryesore të ofertave të pakërkuara, dmth shmangia e konkurrencës që sjell një prokurim transparent, me pjesëmarrjen e kompanive të specializuara, të huaja, etj;, dmth ky “faktor” është në të vërtetë paracaktimi i fituesve duke përfshirë kompani të krijuara posaçërisht, pa përvojën e nevojshme në sektorin përkatës, me lidhje të politikës së dukshme dhe të padukshme, pra me pronësi të fshehtë të personave të ekspozuar politikisht, etj.
- Implementimi i këtij projekti nga një koncesionar privat do të krijojë dhe mundësitë e arritjes së eficensave që vijne gjithmone nga sektori privat, i cili synon maksimumin e fitimit.
Koment: Edhe për këtë faktor është abuzuar shumë. Raportet zyrtare të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë mbi monitorimin e kontratave koncesionare dhe të llojit PPP nuk ofrojnë asnjë informacioni mbi kostot krahasimore të shërbimeve publike para dhe mbas koncesionimit. Vlerësime të tërthorta flasin për një rritje eksponenciale të kostos së çdo shërbimi publik të kaluar në duart e kompanive private, dmth nuk ka aspak vend për të folur për efektivitetin dhe efiencën e pretenduar… Për më tepër që historia në hetim e sipër e koncesionareve të shëndetësisë të llojit PPP apo të inceneratorit të Tiranës dëshmon se lënia në duart e kompanive propozuese të ofertës së pakërkuar të të ashtuquajturve studime fizibiliteti”, pa asnjë oponenencë profesionale dhe pa transparencë ndaj publikut, i ka shndërruar këto studime me hallkën e parë të materializimit të vullnetit për të grabitur buxhetin “me rregulla”, dmth me akte qeveritare…
- Nëse projekti do të zbatohej sipas mënyrës klasike, pra të menaxhohej nga ministria, atehere kjo do të ishte një barrë shtese mbi burimet e ministrisë (si burime ekonomike dhe njerëzore) ndërkohë që në rastin e koncesionit i vetmi angazhim i shtetit do jetë në monitorimin e koncesionarit sipas ligjit.
Koment: Ky faktor përbën edhe të vetmin qëndrim transparent të çdo koncesionari apo grabitësi “me ligj” të buxhetit të shtetit dhe të pasurive publike falë lobimit politik dhe korrupsionit që ushqejnë procedura të tilla. Dmth je kompani private, konstaton se qeveria dhe dikasteret e emëruara prej saj nuk po bëjnë si duhet punën ne ofrimin e shërbimeve publike. Kompania vendos të shpenzojë kapitalet e veta për të mirën e shoqërisë, nuk kërkon asgjë e shumë se një konktaktë e ekskluzive dhe lejen nga qeveria apo Kuvendi që t’i taksojë qytetarët që kanë votuar qeverinë për t’i ofruar këto shërbime, mundësisht gjatë 20, 30 viteve të ardhshme apo deri në vitin 2100 sa ç’licencoi Bashkia e Tiranës kompaninë e mafiozëve italiane te Firences…
Shkurt, sot në Shqipëri mungon vetëm i shumëkërkuari i madh që të dalë përsëri në foltoren e Kuvendit dhe të ulërasë triumfalisht “Zero, zero lekë do të paguajnë qytetarët e Shqipërisë nga xhepat e tyre. Këto kontrata do të paguhen 100% nga buxheti i shtetit”, dmth qeveria nuk ka se si të mos ndihet “krenare për kontratat e koncesioneve dhe të PPP-ve që ka nënshkruar” sidomos gjatë dekadës së fundit, edhe pse për to po provohet rast pas rasti paligjshmëria, mashtrimi dhe zhvatja e fondeve publike, vënia e administratës publike në shërbim të interesave private dhe përfshirja e zyrtareve të lartë vendimmarrës në korrupsionin që kanë prodhuar e vazhdojnë të prodhojnë këto kontrata.
Ja përse mbështetja ndaj SPAK mbetet mundësia e fundit për të rikthyer shpresën e qytetarëve shqiptarë në fundin e pandeshkueshmërisë dhe normalizimin e rolit të qeverisë në përmbushjen e shërbimeve publike në mënyrë të ligjshme.