Autoritetet në Nevada po hetojnë rrethanat e vdekjes së një personi në vendin ku mbahet festivali vjetor ‘Burning Man’, ku prej së shtunës në mbrëmje, mijëra pjesëmarrës, vazhdojnë të jenë të bllokuar aty, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhitë që përfshinë edhe shkretëtirën e Nevadës.
Zyra e Sherifit në Qarkun Pershing tha se vdekja ndodhi gjatë aktivitetit, por ofroi pak detaje mes hetimeve në vazhdim. Autoritetet nuk dhanë informacion mbi identitetin e personit të vdekur apo se çfarë mund të ketë shkaktuar vdekjen e tij, raportoi televizini KNSD-TV.
Zyrtarët nuk po lejojnë hapjen e portave ku ndodhen automjetet e parkuara të pjesëmarrësve në festival, i cili nisi më 27 gusht dhe pritej të përfundonte të hënën.
Më shumë se 13 mm shi besohet të ketë rënë të premten në vendin ku po mbahet festivali, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit i qytetit të Renos duke shtuar se gjatë ditës së sotme pritetn edhe të paktën 7 mm shi.
Zyrtarët nuk kanë thënë ende se kur do të lejohet largimi i pjesmarrësve në festival.
Këto zhvillime ndodhën pak para momentit kulmor që lidhet me këtë ngjarje vjetore, ku si çdo vit, i vihet flaka një statuj të madhe prej druri si pjesë e traditës që shoqëron këtë aktivitet.
‘Burning Man’ është një festival që organizatorët thonë se përqendrohet tek “komuniteti, arti, mundësia për t’u shprehur lirisht nëpërmjet tyre e mbështetja tek vetja”. Ai mbahet çdo vit në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara.
Festivali e ka marrë emrin nga ceremonia kulmore e tij, djegia e statujës së madhe prej druri, e quajtur Njeriu, e cila ndodh në natën e parafundit të aktivitetit, që është mbrëmja e së shtunës para Ditës së Punës./VOA