Gazment Bardhi nuk e njeh Lulzim Bashën si kryetar grupi të PD-së, që u zgjodh me ndryshimet e fundit në statut. Ai deklaroi sot se Basha ka vetëm shtatë deputetë pas vetes. Theksoi se nëse bën 18 vota, atëherë do të jetë edhe ai pro tij.
“7-ta është më e vogël se 20-ta apo 30-ta. Unë kështu e kam mësuar në klasë të parë fillore. Duhet të bëjë 18 vota. Kur t’i bëjë, vota e 19-të do të jetë e Gazment Bardhit”. Thekoi me ironi se “kjo është grimcë humori vere”.
“Mbledhja e deputetëve cakton kryetarin e grupit” tha më tej. Nesër ka ftuar të 58 deputetët e opozitës në një takim të përbashkët për të përcaktuar axhendën kundër qeverisë. Tha se i ftuar është edhe vetë Basha.
“Takimi është për të unifikuar një axhendë të përbashkët parlamentare si deputetë të opozitës. I ftoj të gjithë kolegët në një sallë për të diskutuar, si ka funksionuar opozita dhe për t’i dhënë fund asaj situate që ka vendosur në siklet në këtë sallë dhe për të ndërtuar një aksion të përbashkët opozitar” deklaroi Bardhi.