Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, i ka dhënë një intervistë për BBC ku ka folur për ndikimin emocional që ka pasur në familjen e saj pushtimi i Rusisë dhe lufta që rezultoi.
“Kjo mund të jetë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim, jo një figurë historike, pranë meje,” tha Zelenska.
Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.
Pasi doli nga “fshehja”, lufta e vuri në qendër të vëmendjes dhe që atëherë ajo ka udhëtuar nëpër botë për të takuar udhëheqës dhe për të mbajtur fjalime.
“Me burrin nuk jetojmë bashkë, familja është e ndarë. Ne kemi mundësinë të shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon babai,” rrëfen ajo.
“Më dhemb kur shikoj që fëmijët e mi nuk planifikojnë asgjë, vajza ime është 19 vjeç. Ata ëndërrojnë për udhëtime, për ndjesi të reja, emocione. Ajo nuk e ka një mundësi të tillë,” shprehet Zonja e Parë.
“Unë besoj te im shoq dhe e mbështes. E di që ka forcë të mjaftueshme. Për çdo person tjetër që njoh, mendoj se do të ishte shumë më e vështirë kjo situatë. Ai me të vërtetë është një person shumë i fortë dhe elastik. Dhe ky elasticitet është gjëja që ne të gjithë kemi nevojë për momentin,” shprehet Olena kur flet për bashkëshortin, Presidentin e Ukrainës.
Puna e saj e fundit si Zonjë e Parë është fokusuar në ndihmën e ukrainasve që të përballen me ndikimin psikologjik të luftës dhe ajo po përgatitet të presë një takim të ardhshëm në Kiev që do të fokusohet në shëndetin mendor dhe qëndrueshmërinë. /BBC