Një 16-vjeçar shqiptar dyshohet se u rrëmbye në qendër të Brukselit dhe u trajtua barbarisht nga disa persona të tjerë.
Mediat e huaja raportojnë se ai u tërhoq zvarrë në një makinë nga katër persona ndërsa dy orë më vonë, shumë pas orës 4 të mëngjesit, adoleshenti u gjet pranë qendrës tregtare Westland në Unazën e Brukselit.
Ai ishte i zhveshur dhe kishte djegie në trup për të cilat dyshohet se agresorët i kishin shtypur disa bishta cigaresh në trup.
I mituri është dërguar menjëherë për në spital pasi përveç djegieve ai kishte përfunduar edhe me hundën e thyer pasi dhunuesit mendohet se e kanë goditur me grushte në fytyrë.
Autoritetet atje dyshojnë se rasti ka ndodhur brenda një rrjeti shqiptarësh siç e quajnë ata dhe se i mituri mendohet se ka sulmuar një prostitutë. Ndërkohë, policia është vënë në kërkim të autorëve të sulmit.