Skenari i vizitës së liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un në Rusi për tu takuar me presidentin rus Vladimir Putin ka mbushur mediat ndërkombëtare, pas një raporti të një zyrtari amerikan.
Takimi do të nënvizonte thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në një kohë kur dy liderët e izoluar janë në mosmarrëveshje me SHBA- në.
Çfarë do të thotë një udhëtim i mundshëm i Kim në Rusi?
Nevojë urgjente për armë
Që nga viti i kaluar, zyrtarët amerikanë kanë raportuar se Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me predha artilerie, raketa dhe municione të tjera, shumë prej të cilave me gjasë janë kopje të municioneve të epokës sovjetike.
“Rusia ka nevojë urgjente për armë lufte. Nëse jo, si mund të vijë ministri i mbrojtjes i një vendi të fuqishëm në luftë në një vend të vogël si Koreja e Veriut?” tha Kim Taegu, ish-kreu i Institutit Korean për Bashkimin Kombëtar në Seul, raporton abcnews.al.
Siç shpjegoi ai, Shoigu ishte ministri i parë rus i mbrojtjes që vizitoi vendin pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991.
Blerja e municioneve nga Koreja e Veriut do të ishte shkelje e rezolutave të OKB-së, të cilat mbështeten nga Rusia dhe ndalojnë tregtinë e armëve me vendin e izoluar.