Duke pasur parasysh që gjithmonë ndryshimet në qeveri janë paraprirë nga kritikat për punën e qeverisë të bëra nga Kryeministri dhe ndërkohë, ndryshimet kanë prodhuar kritika të tjera, qartazi ekuacioni qeverisës kryeministër jetëgjatë, ministra jetëshkurtër nuk është shtruar saktë.
Ndryshimet pjesore të qeverisë, të shpallura nga kryeministri në mesin e mandatit të tij të tretë, na dhanë idenë të llogarisnim një tregues për qëndrueshmërinë në detyrë të një ministri dhe nëse ky tregues ndjek prirjen e qëndrueshmërisë së qeverisë në tërësi.
Me logjikë pritet që një qeveri e qëndrueshme të ketë qëndrueshmëri edhe në strukturat e saj.
Qeveria aktuale, në pikëpamjen e forcës politike që përfaqëson, ka shfaqur qëndrueshmërinë më të lartë ndër të gjitha qeveritë paraardhëse nga viti 1991. Është në pushtet për të tretin mandat dhe qeveris vendin prej 10 vjetësh.
Në dy mandatet e fundit qeveris e vetme, pa koalicion qeveritar. Në mandatin e parë qeverisi në koalicion me LSI, por pa rrezik krijimi krizash qeverisëse, dhe në gjashtë muaj në vitin 2017, me një grup ministrash të ofruar nga opozita, si pjesë e marrëveshjes pozitë-opozitë.
Qeverisja nuk sfidohet as nga institucionet e tjera të krahut joekzekutiv dhe as rrezikohet sadopak nga opozita. Mbi të gjitha, prej 10 vitesh, qeveria ka në krye të njëjtin kryeministër.
Përkundrejt kësaj qëndrueshmërie në perimetër, qeveria në fakt ka qenë në lëvizje të vijueshme, si në ndryshim të numrit dhe funksioneve të ministrive, ashtu edhe të ministrave.
Për të bërë krahasimet, në analizë u morën ministritë që kanë funksione, të cilat lidhen me ekonominë, përfshi financat, bujqësinë, turizmin, transportin, energjetikën dhe sipërmarrjen etj (lexo ketu shkrimin e plote).