Sonte Shqipëria në orën 20:45 do të përballet me Poloninë në “Arenën Kombëtare” në Tiranë në një sfidë mjaft të rëndësishme për fatet e grupit të vlefshëm për “Euro 2024”. Pas barazimit në Çeki një tjetër rezultat pozitiv ndaj polakëve do të ishte një hap më pranë kualifikimit.
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Poloninë, deklaroi se kuqezinjtë do të luajnë me shpirt dhe zemër përballë publikut të tyre, duke theksuar se është shumë “e rëndësishme të mos humbasim”.
“Do të luajmë me shpirt dhe zemër. Do të luajmë përpara 20 mijë tifozëve. Do të jetë e vështirë, na pret një ndeshje aspak e thjeshtë. Pres që skuadra të ketë qasjen e duhur.
Me mbështetjen e popullit shqiptar, unë mendoj se do të bëjmë diçka të madhe gjatë 90 minutave. Të gjithë futbollistët zbresin në fushë për fitore, të gjitha skuadrat përgatiten për fitore.
Por, ka edhe kundërshtar përballë që ka objektivat e veta. E rëndësishme është të mos humbasim”, deklaroi braziliani.
Shqipëria renditet në vendin e dytë të grupit E, me 7 pikë, një më pak se Republika Çeke. Polonia renditet në vendin e tretë me 6 pikë duke e bërë ndeshjen e sotme një finale të vërtetë për fatin e grupit.
Sonte ndeshja me Poloninë! Rrugët e bllokuara në Tiranë dhe masat në stadium