Një shqiptar i ka prishur debutimin Luciano Spallettit në stolin e Italisë. Të kaltrit nuk arritën dot më shumë sesa një barazim 1-1 ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi “perla” e Enis Bardhit nga goditja e dënimit, në minutën e 81, i mohoi fitoren kampionëve në fuqi të Evropës.
Italia kishte zhbllokuar rezultatin në fillimin e pjesës së dytë (47’), me kapitenin Ciro Immobile, i cili dërgoi në rrjetë një top të ardhur nga traversa, pas goditjes së Barella.
Ky barazim ndërlikon shumë kualifikimin e Italisë, pasi ka vetëm 4 pikë, po aq sa Maqedonia e Veriut. Grupin e kryeson Anglia me 13 pikë, e ndjekur nga Ukraina me 7.
Ndeshja e radhës e Italisë është pikërisht ajo ndaj Ukrainës, që kthehet kështu në një përballje me fitoren si detyrim.